Kadri Veseli ka bërë thirrje që të themelohet tribunali ndërkombëtar spër ndëshkimin e kryrësit e masakrave si Reçaku e masakrat tjera gjthandej Kosovës si dhe heshtja e faktorit ndërkombëtar është e pa pranueshme.
Sot përkujtojmë masakrën e Reçakut, një nga masakrat më të rënda të shtetit serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.
Ditëve tjera të vitit, njësoj do t’i përkujtojmë me dhimbje plagët tona kombëtare në Prekaz, Studime, Obri, Mejë, Verbovc e anekënd Kosovës, si pasojë e krimeve tjera masive, që ishin pjesë e projektit të shtetit serb për të shfarosur popullin shqiptar.
Por, sot përjetojmë edhe një lëndim që vjen si pasojë e tolerancës së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për përgjegjësinë historike që ka për krimet makabre. BE, jo vetëm që ka qëndruar duarkryq ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndëshkuar kriminelët e luftës, por sot po tregohet indiferente edhe ndaj përpjekjeve serbe për ta rishkruar historinë, për të mohuar përgjegjësinë mbi krimet e kryera ndaj qytetarëve tanë.
Ka zyrtarë evropianë që mendojnë se Kosova duhet të pranojë në heshtje pandëshkueshmërinë dhe mosvënien e drejtësisë për autorët e masakrave të kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999, si çmim për lirinë. Por, janë duke gabuar rëndë, sepse krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen dhe paqja nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë.
Liria është një e drejtë që i takon natyrshëm kombit tonë dhe që i është mohuar për një kohë tejet të gjatë. Kjo është arsyeja që populli shqiptar nisi luftën çlirimtare në Kosovë. Rruga drejt lirisë së privuar e popullit tonë ka qenë e gjatë, e mundimshme dhe e mbushur me sakrifica.
Deklaratat politike shterpe që jepen nga zyrtarë evropianë janë të pavlera, përderisa nuk kanë ndonjë efekt presioni ndaj Serbisë dhe nuk shoqërohen me veprime konkrete për ta shtrënguar lidershipin e Serbisë që të heqë dorë nga mohimi i përgjegjësisë shtetërore për krimet e kryera dhe për ta kushtëzuar që të ndërmarrë ndëshkimin e autorëve të krimeve makabre sikurse ishte Reçaku.
Themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për ndëshkimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.
Përndryshe, çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkan në kurriz të drejtësisë dhe të vërtetës mund të konsiderohet thjesht një utopi.
Lavdi!