Home / Lajme / MASAKRA E REÇAKUT/ Një gazetar izraelit insistonte të shkojë në Reçak para masakrës

MASAKRA E REÇAKUT/ Një gazetar izraelit insistonte të shkojë në Reçak para masakrës

Si u bë që një gazetar izraelit insistonte të shkojë në Reçak para masakrës? Kush na informoi në orën 03:00 të mëngjesit për tragjedinë e Reçakut? Si vendosëm të nisemi për në këtë fshat? Cilat ishin pamjet e para që i pamë më 16 mars në Reçak?


Nga Baton Haxhiu


Naser Miftari ishte gazetari i parë që kishte ardhur nga Fakulteti i Gazetarisë së Tiranës. I qetë, muskuloz dhe me një stil shumë të mirë gazetarie, ishte njeriu i parë, jashtë fshatit Reçak, që e ka parë fshatin Reçak të shkatërruar dhe të vrarë, së bashku me Tzur Shezaf.


Tzur Shezaf ishte një gazetar izraelit. Ishte e habitshme që një gazetar nga Izraeli të ishte në Kosovë. Nuk kishim parë në Kosovë më parë gazetarë nga Izraeli. Së paku jo nga ndonjë redaksi. Kishte ardhur një ditë më herët në redaksi. Në mesditë kishte arritur për të biseduar për mundësinë e shoqërimit të tij nga një gazetar. Ishte e zakontë të dinim se ku shkonin gazetarët. Vetëm sa për informatë. Ishte kohë e keqe.


“Ku i bie Reçaku…?”


Ato ditë nuk kishte shumë qetësi në Kosovë. Kishte filluar të prishej armëpushimi. Naser Miftari më tha se dëshironte të shkonte në Reçak. Ku është Reçaku? – e pyeta Naserin. Dhe pse në Reçak i thashë! Ai, gazetari, dëshiron të shkojë herët në mëngjes, më tha Naseri. Si duket fshati është afër Shtimes. Do ta gjej, më tha Naseri. Le se i paska shitur drutë, i thashë. Këtë shprehje e përdornim për të gjithë ata që bënin gazetari të keqe ose nuk kishin mjaft informata. Po çka di ky çka po ndodh në Kosovë. Po shko, i thashë, pse. Ishte edhe një arsye tjetër pse shkonin gazetarët në shoqërim. Një se me lehtësi realizohej tema dhe nuk komplikohej procedura me policinë serbe. Dhe e dyta: paguhej mirë. Thjesht mirë për të dyja palët.


Por për këtë më vonë.


Bardhyl Mahmuti, zëdhënës i UÇK-së për Zvicër, kishte telefonuar në orën 03:00 pas mesnatës. Ishte zgjuar nëna ime për ta marrë telefonin. Trokiti lehtë në derë që të më zgjonte. I kishim netët me stres. Shumë me stres.


“Bardhyl Mahmuti po të thërret”, ishte një zë matanë derës. Bardhyli thërriste shpesh në telefonin e shtëpisë, por asnjëherë në këso kohe. Por e thërrisnim edhe ne shpesh. Ishte një figurë interesante për ne. Një shok i mirë matanë telefonit, por i rrëmbyeshëm. Nuk e kishte sensin e distancës. I shikonte gjërat nga Zvicra. Jo rrallë edhe me një patetizëm. Mënyra se si fliste dhe si i shpjegonte gjërat ishte dramatike edhe pa pasur ndonjë lajm të tillë.


Sa është ora? – e pyeta gruan time. – Tre e pesëdhjetë, më tha. Ueeeeeee, paska ndodhur diçka, i thashë. U ngrita rrëmbyeshëm dhe dola me vrap te telefoni.
Alo Bardhyl! Çfarë ka ndodhur?!


“Katastrofë!”, më tha. “Janë vrarë 21 ushtarë të UÇK-së që kanë qenë në roje dhe dhjeta civilë!!!” Urdhëro!!!! – Lajmi ishte tronditës. Bardhyli pa fije takti ma kumtoi lajmin. Jam ulur në tokë nga mundimi. Po ku ka ndodhur?, e pyeta. Në Reçak, më tha. Te Shtimja diku. A e di ku është ky vend? – më pyeti.


Menjëherë m’u kujtua gazetari izraelit. M’u kujtua diskutimi me Naserin dhe Shezafin. Për një fshat që kurrë nuk kisha dëgjuar më parë për 12 orë u bë temë tmerri. Po, po, i thashë.


Jam veshur shpejt. Pa shpjeguar detajet e ngjarjes për familjen time, jam nisur për në redaksi.


Së pari kam thirrur Alban Bujarin, fotoreporterin, Beni Qenën, Ylber Bajraktarin, Afrimin, shoferin e redaksisë që kishte qenë në të gjitha vendet më të rrezikshme të luftës. Më duket kam lajmëruar Vetonin dhe Ylber Hysën.


Pas një kohe shumë të shkurtër jemi gjetur të gjithë në redaksi. Çka të thuhet për një lajm që nuk ishte i verifikuar. Kë ta lajmërojmë. Si të thuhet. Kush na ka thënë. Kush na ka dhënë lajmin. Të gjitha këto pyetje i kishim para vetes.


Problemi ishte se si të nisemi për në Reçak pa asnjë gazetar të huaj.


E kam thirrur ambasadorin Uoker, shefin e Misionit të KVM-së (të verifikuesve) dhe ia kam kumtuar lajmin. I kam thënë ‘merre me rezervë lajmin. Kjo informatë më është kumtuar në orën tre pas mesnatës’. Thënë të drejtën edhe sot nuk e di kush është përgjigjur në telefon. A është përgjigjur vetë zoti Uoker apo dikush nga ekipi i tij. Por e di që jam prezantuar dhe kam folur pa e dëgjuar anën tjetër të telefonit. E kam marrë porosinë nga andej se “do ta verifikojmë shpejt”. Po them pa e ditur a ka qenë Uoker apo dikush tjetër.


“Çfarë ka ndodhur, he burrë…?”


Pastaj e kam thirrur Davidin (Slinin, diplomatin britanik) dhe Janin (Kikertin, ndihmësin e ambasadorit Petriç). Ia kam treguar ngjarjen. E kam lajmëruar disi edhe Jon Kroslandin, atasheun ushtarak në Ambasadën Britanike në Beograd.


Pas pak ka ardhur Vetoni dhe Ylber Hysa.


Beni dhe Ylber Bajraktari ishin të mendimit se duhet të niseshim. Unë vi me ju, u thashë. Afrimi ishte i bindur se duhet të rrezikojmë. Duhej respektuar edhe mendimin e shoferit në aso situate. Dhe jo vetëm në atë situatë. Ai ka qenë figura më interesante gjatë gjithë luftës. Trim dhe rrezikues i madh. Pa të dhe bekimin e tij, shumë gjëra nuk do të realizoheshin. Nuk do të kryheshin shumë tema të luftës së Kosovës.


Ishte një frikë. Ishte diçka që nuk ishte lehtë të vendosej.


Diku rreth orës 5 e 30 kemi vendosur të nisemi. Afrimi ishte i qetë dhe na jepte kurajë. Këtë herë nuk ngiste makinën me shpejtësi. E dinte se po ta bënte si herëve tjera, mund të ishte shkas për t’u ndalur. Por këtë herë nuk kishte asnjeri në rrugë. Asnjë veturë e vetme.


Kur kemi arritur të Shtimja, kemi parë autoblinda që ishin ndalur të pompa e karburanteve. Në Shtime kishte policë. Policët rrinin përballë Çmendinës së Shtimes. Njëzet metra më poshtë ishte kthesa që tregonte rrugën për Reçak. Një djerrinë që vinte pastaj, në anën e majtë të rrugës që shpie në Prizren – menjëherë në dalje të Shtimes, zbrisnin dhjeta policë. Ishin të veshur me këmisha plumbi të gjelbër. Jo të kaltër si deri atëherë. Në majë të rrugës ishte vendosur një tank që tytën e kishte orientuar nga një fshat. Në anën e djathtë të rrugës qindra policë ishin ulur nën pisha. Disa kishin ngritur istikame.


Para policëve lëviznin dy autoblinda. Ishte një rreshtim që nuk e kishim parë më herët. Thjesht, s’e dinim se ç’kishte ndodhur.


E kemi marrë anën e majtë të rrugës. Albanit, Afrimit, Ylberit dhe Benit ua tregova rrëfimin për gazetarin e Izraelit dhe Naserin.


Afrimi kishte aftësi të jashtëzakonshme konspiracioni. “Uh nanën e nanës, tha. Mosad është ai”, klithi Afrimi.


U thashë që ai dhe Naseri janë nisur herët për në Reçak. Që në orën pesë të mëngjesit.


Kur kemi arritur në hyrje të fshatit, kemi parë një ushtar të UÇK-së.


“Çka ka ndodhur he burrë”, i tha Afrimi.


“Tmerr” ia ktheu ai. E kanë vrarë tërë fshatin, ishin fjalët e tij.
Afrimi e mbylli dritaren e veturës dhe si gjithmonë çdo dialog e shoqëronte me nga një konstatim.
“E rrisim na shqiptarët pak”, ishte konstatimi i tij, duke u munduar ta lehtësonte situatën e vështirë.


Vërtet nuk dëshironim të besonim se mund të kishte ndodhur diçka e tillë. Kur jemi afruar në fshat dëgjoheshin klithma. Lëviznin disa njerëz që kishin mbetur të gjallë.


Diçka e tmerrshme paska ndodhur, thashë. Kur kemi arritur në fillim të shtëpive të fshatit e kemi parë kufomën e parë.


O zot. Koka e prerë. Vetëm lëkura e pjesës së prapme i kishte mbetur. Një trup i gjakosur dhe i keqtrajtuar para se të prehej.


Krimi ishte mbuluar me një copë paketë. Kemi mbetur të tronditur. Nuk kisha parë diçka më të tmerrshme. Kisha parë shumëçka gjatë dhjetë vjetëve, por asnjëherë nuk kisha parë kokë të hequr. Jemi shikuar ndërmjet vete.


Asnjëri nuk fliste asnjë fjalë. Njerëzit e Reçakut ishin nisur drejt një bjeshke. Ne ua kishim mësyrë shtëpive një nga një.


Kur kemi hyrë në shtëpinë e parë, kemi parë një trup të shtrirë e të bërë blozë. Kishte mbetur i shtrirë te dera kurse fëmija ishte disa metra më larg. Fëmija nëntëvjeçar ishte ekzekutuar nga afër. Lart në shtëpi ishin tërë familja. Familja ishte pllakosur. Gratë kishin vënë shamitë e mortit kurse ushtari i UÇK-së e kishte rëndë pse nuk kishte mundur ta mbronte familjen. “Nuk arrita dot t’i shpëtoj. I kishin vrarë të gjithë ushtarët e UÇK-së që kishin qenë roje e fshatit. I kishin ekzekutuar nga afër”, fliste komandanti që nuk kishte më shumë se tridhjetë vjet.


Nuk besonim çfarë shihnim në Reçak


Një derë e drunjtë, midis dy mureve të larta, qëndronte e hapur. Disa trupa të shtrirë, që ishin ekzekutuar, qëndronin midis oborrit.


“Shkoni tutje se të gjithë janë të vrarë”, na tha një zë gruaje që ishte shastisur nga tmerri.


Jemi nisur një lugine që shpinte në drejtim të një pjese të fshatit që disi ishte e ndarë nga fshati. Kemi kaluar një përroskë me guralecë. Bryma, që dukej si borë, e kishte mbuluar gjelbërimin e porsanisur. Kur e kaluam një pjesë të rrugës, pamë disa shtëpi. O zot çfarë tmerri. Kufoma të shpërndara gjithandej. Ishin vrarë në ikje dhe ishin ngrirë nga të ftohtit. U afruam te kufoma e parë. Një plak që dora i kishte mbetur te qafa. Aty e kishte rrokur plumbi. Kësulën e kishte larg për një gjysmë metri. Gjaku ishte derdhur përreth trupit. Goja i kishte mbetur e hapur që dukej se kishte kërkuar ndihmë. Një metër më tutje një djalë i ri që ishte bërë blozë. Ishte zbathur. Kjo tregonte se ai kishte provuar të ikte nga rafalët vdekjeprurës.


Pastaj një bregore me plot kufoma. Unë, Beni, Ylberi dhe Afrimi ecnim midis kufomave. Shumë të vrarë. Ia kemi plasur vajit. Asnjeri nuk ishte atypari. Vetëm ne. Kemi hyrë në një shtëpi me pesë të vrarë. Një mesoburrë ishte bërë shoshë. Edhe shtëpia e tij. Më lart, si një bregore strategjike, ishte një gulinov që kishte mbetur i kacavarur mbi dheun e istikamit. Më gjasë kishte dashur t’i mbronte fshatarët. Si duket edhe vetë kishte ikur nga vendi. Derisa ngjiteshim lart, dhjetëra kufoma ishin ndërmjet nesh. Shanim, bërtitnim. Tmerr ishte. Çfarë mllefi. Të gjithë të vdekurit ishin vrarë nga një pozicion i njëjtë. Ishin ngrirë nga të ftohtit.


Kemi qarë shumë. Sidomos unë. Lotët më shkonin. Nuk e besoja se ky tmerr mund të ishte i kësaj përmase.


Por këtu nuk ishte fundi. Kisha menduar se ato dhjetëra kufoma ishin të fundit.
U ngjitëm lart. Ishte një bregore në anën tjetër të fshatit. Kemi ecur tutje për disa qindra metra. Kur jemi afruar te një luginë, na është ndalur fryma. Menduam se atë që pamë ishte fundi i krimit dhe çnjerëzores. Por Jo.


O Zot!!! Një fushë e vdekjes para nesh. Plot trupa të shtrirë gjithandej. Tre a katër në një vend dhe disa tjerë tutje. Por kur kemi hyrë te një lug, jemi sikletisur aq shumë. Dhjetëra trupa në një vend. Të pushkatuar. Në mesin e tyre qëndronte një vajzë që vajtonte të vëllanë kurse tjetri që ishte buzë çmendurisë tregonte ekzekutimin. Ai kishte qenë në vargun e të ekzekutuarve por kishte shpëtuar pasi ishte shtrirë që në zbrazjen e rafalit të parë.


Ishim ne katër dhe disa të tjerë nga fshati. Aty ishte një djalosh i ri me uniformë të UÇK-së.


Çka je ti këtu. Çka ke bërë ti, i thashë. S’kam mundur asgjë të bëj. Ik prej këtu, i thashë. Ka nisur me hapa të ngadalshëm për të ikur nga fusha e vdekjes. Është lëshuar me ngadalë teposhtë duke e kthyer kokën herë pas here.


Jam ulur dhe kam qarë shumë. Shumë. Për një moment më erdhi një forcë dhe kam filluar të sharat. Pa kontroll. Kurrë nuk jam ndier më afër UÇK-së se atë ditë. Kurrë nuk e kam pasur ndjenjën më të vendosur për të luftuar se atë ditë.


Kemi zbritur poshtë. Kemi hyrë te shtëpia e parë që ishte rrëzë bjeshkës së Reçakut. Dhjeta gra dhe fëmijë ishin shtrirë në oborr. Një plakë e kishte para vetes të vdekur të vetmin fëmijë. E kishte të adoptuar dhe ia kishin vrarë shpresën e jetës së saj. Dhjeta të tjerë ishin bërë krejt të mavijosur. Ishin rrahur deri në alivanosje. E qanin veten dhe nuk kishin ide se disa dhjetëra metra më lart ishin vrarë shumë burra të fshatit.


Rrahja e tyre tashmë nuk ishte dhimbje. Së paku kishin mbetur gjallë. Një rrëfim i tmerrshëm.


Gazetari që diti shumë


Kemi ikur nga aty. Në dalje të fshatit kemi parë vargun e madh të veturave. I pari i autokolonës ishte Uoker. Është ndalur para kufomës së parë të fshatit. Ishte ajo kufoma me kokë të këputur.


Jemi kthyer prapë me zotin Uoker. Është nisur fushës së vdekjes. Kur është afruar afër, nuk fliste asgjë. Ka parë kufomat e grumbulluara. Shikonte një nga një. Asnjë fjali të vetme nuk e tha aty.


Kemi zbritur ngadalë te rruga ku ishin veturat e parkuara. Dhjetëra gazetarë qëndronin përballë Uokerit. “Kjo është masakër mbi popullsinë civile”, tha Uoker.


Jemi nisur me urgjencë për në Prishtinë. Dëshironim që tërë kjo atmosferë të shpërndahej nëpër botë.


Por Naseri dhe gazetari izraelit tashmë kishin dërguar imazhet e para të masakrës. Gjithçka kishte marrë dhenë.


Gazetarin që e trajtoja si njeri që kishte “shitur drutë” dhe ma përmendi një fshat vetëm disa orë më herët, m’u bë i afërt.


Pyetja që shtroja në atë moment ishte: Si e ka ditur që Reçaku do të jetë vend i masakrës. Rastësia. Nuk më besohej. Edhe pse rastësitë janë mbret i situatave. Disa kohë më vonë po i njëjti gazetar kishte kontaktuar me Qeverinë izraelite dhe kërkonte që i tërë fshati të shpërngulej në Izrael. Tërë shpenzimet do t’i mbulonte qeveria e këtij vendi. Përgjigjja ka qenë jo. Jo e madhe.


Por t’i kthehemi rrëfimit në fillim. Si e kishin gjetur Naseri dhe Tzur Shezaf Reçakun e atij mëngjesi.


Naseri dhe Shezafi ishin nisur që në pesë të mëngjesit me një makinë të kuqe. Atë mëngjes bënte shumë ftohtë. Shezafi thoshte se xhamat e makinës ishin ngrirë. Kishin kaluar pranë stacionit të policisë në Shtime dhe përpara dolën dy-tre policë që vrojtonin teksa futeshim në fshat. Të tre policët qëndronin para hyrjes së stacionit dhe i mbanin duart kryq që shoqërohej me një lloj qeshje ironike në fytyrë.


Kur kishin hyrë në fshat e tëra që kishin parë ishte një gomar.


Gjithçka dukej e braktisur, e shkatërruar dhe e djegur.


Ishin ngjitur ngadalë me makinë lart dhe në hyrje kishin parë një burrë rreth të 30-ve. Ai po përpiqej t’iu thoshte se ka të vrarë por nuk e kishin kuptuar mirë as Naseri dhe as Tzur Shezaf.


Nuk kishte kaluar shumë dhe kishte ardhur aty me makinë Shukri Buja me dy-tre bashkëpunëtorë. Shukri Buja, siç ishte kuptuar më vonë, ishte komandant i zonës atje, edhe pse kurrë më parë nuk e kishin takuar dhe njohur. Kishte pasur një arrogancë dhe ishte drejtuar me pyetjet se kush i kishte sjellë në Reçak dhe kush ishin.


Kur ishin prezantuar si gazetarë dhe se burri me syze (Tzur Shezaf) ishte gazetar i njohur izraelit, atëherë ishte zbutur.


Ishte larguar me makinë me shpejtësi prapa dhe u kishte thënë ushtarëve dhe njërit që konsiderohej si përfaqësues i mbrojtjes civile të fshatit, që t’i çojë lart.


Hapat e parë që kishin bërë ishin të ngjiteshin nëpër shpatin që çonte në kodër. Rrëzë shpatit ishte dukur një grua plakë që thërriste dhe donte ta dinte se ç’kishte ndodhur.


Naseri dhe gazetari izraelit ishin ngjitur pa fjalë dhe prapa kishin pasur edhe dy-tre fëmijë. Pak më vonë kishin parë kufomën e parë, pastaj dy-tre të tjera bashkë dhe në majë të kodrës edhe nja 23 kufoma të tjera. Ato kishin qenë të ngjitura njëra me tjetrën. Fëmijët ngjiteshin në kodër. Tashmë kishin mbërritur edhe ata lart dhe kishin parë kufomat. Midis tyre ata me gjasë kishin njohur të afërmit e vet, me gjasë xhaxhallarë, vëllezër dhe baballarë. Vaji i tmerrshëm i fëmijëve filloi të kumbonte në kodër. Tzur kishte filmuar gjatë tërë kohës. As njeriu nga mbrojtja civile nuk i përmbante dot lotët.


Naseri dhe Tzur kishin zbritur pas pak kohësh poshtë kodrës. Kishin parë edhe një kufomë pa kokë, në fshat. Kishin filluar t’iu afrohen disa burra (me gjasë të fshatrave përreth) që kishin kaluar natën jashtë dhe dukeshin të mërdhirë derisa secili prej tyre ishte duarthatë. Shumë prej tyre kishin qenë këmbëzbathur. Kishin filluar të flisnin dhe të ziheshin me njëri-tjetrin. Edhe ata e dinin nëpër mjegull se një tmerr kishte ndodhur në fshat. Por nuk e kishin pasur të qartë krejt.


Tzur Shezaf e kishte lutur Naserin që të ktheheshim menjëherë në Prishtine pasi që kishin marrë të gjitha informatat. Para se të hynin në qytet karvani i gjatë i makinave në drejtim të kundërt, midis tyre CNN, AP, Reuters që ndiqnin xhipat e portokalltë të OSBE-së ishin nisur për të mbërritur në Reçak për të parë tmerrin që kishin parë Naseri dhe Tzur në mëngjes.


Në redaksi lajmi ishte bërë gati për jashtë. Të gjitha ç’kishte parë Naseri dhe Tzur i kishin nxjerrë si fotografi të kufomave, nga fshati të cilin e kishte vizituar vdekja një natë më parë.

Kerko gjithashtu

Vetaksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, humb jetën një person afër Vërmices

Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Ruova”, ku një …