Në një reagim të bërë për media nga drejtori i KDI-së, KDI kërkon të zbulohet në plotëni marrveshja e nënshkruar mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në ambasadën e ShBA-ve në Berlin.
Komunikatë për Media
KDI kërkon transparencë për marrëveshjen e fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd
Sot është bërë e ditur arritja e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, në ambasadën e SHBA-së në Berlin, për vendosjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd nëpërmjet kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa”. Deri tani, autoritetet kosovare kanë dhënë informacione të kufizuara lidhur me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.
Qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e saj dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshjeje mund të sjellë, p.sh. me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që derivojnë nga kjo marrëveshje.
KDI kërkon nga autoritetet e Republikës së Kosovës që të njoftojnë publikun mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe implikimeve të saj.
Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm dhe përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut dhe normalizimin të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, KDI-ja u bën thirrje autoriteteve të Republikës së Kosovës që të përkushtohen për transparencë dhe llogaridhënie, si parakusht për rritjen e besimit të publikut në procesin e normalizimit.