Mbledhja e thirrur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me pikat e rendit të ditës betimi i kuvendarit të ri dhe zgjedhja e kryesuesit, u përmbush vetëm në pikën e parë.
Muharrem Elezkurtaj u betua si kuvendar i ri, pas dhënies së dorëheqjes së Artan Abrashit, i cili u betua si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në hapje të pikës së dytë “Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal”, shefi i Grupit të kuvendarëve të LDK-së, Haziz Hodaj, tha se kjo mbledhje është thirrur pa marrëveshje, prandaj ai propozoi që kryesuesi të zgjidhet në një seancë tjetër të përgatitur më mirë.
Më propozimin e LDK-së nuk u pajtuan subjektet tjera të përfaqësuara në Kuvend.
Kuvendarët e LDK-së e lëshuan sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal.
Në vazhdim VV e propozoi Muharrem Elezkurtajn si kandidat për kryesues, ndërsa PDK, Sulltan Badallajn.
Në raundin e parë Muharrem Elezkurtaj mori 18 vota ndërsa Sulltan Badallaj 11.
Sipas interpretimit të zyres ligjore të Komunës në dy raundet e para kandidati duhet t’i merr 21 vota që të zgjidhet kryesues.
21 vota nuk i mori asnjëri kandidat, as në raundin e dytë. Në këtë raund Muharrem Elezkurtaj mori 17 vota ndërsa Sulltan Badallaj 12.
Në raundin e tretë hapit të LDK-së , iu bashkuan edhe PDK dhe AAK. Kuvendarët e këtyre dy subjekteve e lëshuan sallën, prandaj mbledhja u ndërpre pasi nuk kishte kuorum për të vazhduar me zgjedhjen e kryesuesit../Prizreni Sot