Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Artur Mrasori i cili mbrëmë është plagosur gjatë një shpërthimi në Zhur është duke qëndruar në Klinikën Intensive në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përveç 32 vjeçarit i cili u plagos mbrëmë gjatë një bastisje në Zhur jetën e ka humbur edhe polici Sami Thaçi, ndërsa është plagosur edhe një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës, i cili gjendet në Spitalin e Prizrenit.
Drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka tha se gjendja e zyrtarit policor të plagosur në shpërthimin në Zhur është mjaft e rëndë dhe i njëjti vazhdon të qëndrojë ende në mjekim intensiv në Klinikën Intensive.
Sipas tij lëndimet kryesisht janë në pjesën e fytyrës, por që lëndime ka edhe në pjesën e kraharorit dhe këmbës së majtë.
Uka tha se është dashur të bëhet një intervenim kirurgjik.
Uka: Polici ka marr lëndime serioze
“Zyrtari policor i cili ka pasuar lëndime nga një mjet eksploziv në mbrëmjen e kaluar ka ardhur në Qendrën Emergjente pas lëndimeve të pësuara nga ky eksploziv. Pas ekzaminimeve urgjente që janë bërë në Qendrën Emergjente është dashur të marr një trajtim kirurgjik në sallën e Qendrës Emergjente nga ekipi profesional i Kirurgjisë së Syve dhe Qafës. Lëndimet janë në regjionin e fytyrës dhe të qafës, në regjionin e krahut të majtë, dorës dhe këmbës së majtë dhe janë lëndime që janë marr nga mjete eksplozive. Lëndime serioze, shumë të rënda vazhdon që të qëndroi në mjekimin intensiv të marr trajtimin mjekësor të duhur dhe për momentin paraqitet një gjendje relativisht e rëndë, mirëpo stabile… Dëmtimet më të rënda janë në regjionin e syve, lëndime që është dashur t’i nënshtrohen intervenimit kirurgjik, lëndimet janë serioze për momentin nuk mund të jap detaje”, tha Uka për KosovaPress.
Sipas tij polici 32 vjeçar i plagosur rëndë në Klinikën Intensive është pranuar rreth orës 03:50 të mëngjesit.
Uka: Polici është 32 vjeçar
“Zyrtari policor është i moshës 32 vjeçare. Në mjekimin intensiv ka arritur në orën 03:50 të mëngjesit të sotëm, kurse në Qendrën Klinike Universitare ka ardhur disa orë më herët”, tha Uka.
Mrasori është plagosur mbrëmë në fshatin Zhur të Prizrenit gjatë një aksioni bastisjeje në një shtëpi të këtij fshati. Nga shpërthimi i eksplozivi vdekjen e ka gjetur kolegu i tij Sami Thaçi si dhe është lënduar një polic tjetër dhe një fëmijë