Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet I.M., dhe M.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” si dhe për veprën penale “Detyrim në tentativë”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri I.M., gjatë muajit maj të vitit 2019, në fshatin Krushë e Vogël dhe në Prizren, në vazhdimësi me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Q.
“Në atë mënyrë që për dhënien e një borxhi fillimisht në shumë prej 3000 euro ka kontraktuar normë mujore të interesit prej 25%, e të cilin interes i dëmtuari ka paguar për 4 muaj radhazi, në shumë të përgjithshme prej 3000 euro dhe më pas në muajin shtator të po këtij viti ka kontraktuar edhe borxhe tjera prej 4000 euro, 7000 euro, 5000 euro, 13.000 euro, dhe 5000 euro me normë mujore të interesit prej 15%, të cilin interes i dëmtuari ka qenë i detyruar ta paguaj në dy këste. Më 05 dhe 15 të çdo muaji pasues, për të cilat shuma i dëmtuari ka paguar për dy muaj shumën prej 6100 euro, i cili për borxhin e marrë në shumë totale prej 37.000 euro, ka paguar interes në vlerë të përgjithshme prej 15.200 euro. Me këto veprime i pandehuri I.M., ka kryer vepër penale ‘Fajdeja’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Njoftohet po ashtu se i pandehuri I.M., gjatë periudhës kohore 05.12.2019 – 16.12.2019, me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale – ‘Detyrim’, por vepra penale si e tillë mbetet në tentativë.
“I pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorë kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit B.Q., për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit nga kontraktimi i shumës dukshëm jo proporcionale. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Detyrim në tentativë’ sipas KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkaq, i pandehuri M.M., gjatë muajit maj të vitit 2019, në fshatin Krushë e Vogël dhe në Prizren, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit B.Q.
“Fillimisht kontrakton në emër të borxhit shumën prej 5000 euro me normë mujore të interesit prej 25%, të cilin interes i dëmtuari ka paguar për shtatë muaj radhazi, në shumë të përgjithshme prej 8750 euro. Pastaj sërish në muajin shtator kontrakton me të dëmtuarin borxhin tjetër në shumë prej 5000 euro, me normë mujore të interesit prej 25%, të cilën normë mujore të interesit ka qenë detyruar të paguaj me datë 7 të çdo muaji pasues, dhe këtë e ka bërë për dy muaj radhazi, duke paguar normë mujore të interesit shumën prej 1250euro gjegjësisht për dy muaj ka paguar 2500€ dhe për shumën e tërësishme të kontraktuar për borxh, i dëmtuari ka paguar interes në vlerë të përgjithshme prej 11.250 euro”, njoftohet përmes komunikatës.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
“Po ashtu, i pandehuri M.M., gjatë periudhës kohore 07.12.2019 – 16.12.2019, me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale – detyrim, por vepra penale si e tillë mbetet në tentativë, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, përdorë kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit B.Q., për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprim në dëm të pasurisë së tij dhe atë duke e kanosur me qëllim të realizimit të përfitimit nga kontraktimi i shumës dukshëm jo proporcionale në atë mënyrë që gjatë takimeve me të të dëmtuarin në Prizren, e kanos. Me këto veprime ka kryer veprën penale ‘Detyrimi në tentativë’ sipas KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.