Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.V., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 06.08.2019 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Sipas aktakuzës, me datë 06.08.2019 rreth orës 23:18 minuta, në Prizren, në lagjen ‘Jeta Re’, në rrugën ‘Qenë Qenaj’, i pandehuri B.V., me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij A.V., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje paraprake që kishte me bashkëshorten e tij, në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit ‘Pietro Beretta Gardone’ e kalibrit 9 x 19 mm, del nga shtëpia, i afrohet tashmë të ndjerës A.V., e drejton pistoletën në drejtimin e saj, duke shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit nga goditja e predhave viktima është rrëzuar në tokë, dhe nga plagët e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. I pandehuri, pasi e kishte vrarë, e kishe mbuluar viktimën me fustanin e saj e pastaj e kishte pritur Policinë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Kujtojmë se i dyshuari jetonte në Zvicër bashkë me viktimën, e në kohën kur ndodhi vrasja, po qëndronin për pushime në Kosovë.