Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, sot është takuar me banorë shqiptarë të Leposaviqit dhe të Zveçanit.
Sipas një komunikate të PDK-së, Veseli me kërkesë të banorëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës sot i ka vizituar këto komuna.
“Kreu i PDK-së ka shkuar në veri, ku ka takuar banorët e fshatrave Cerajë, Bistricë dhe Kushtovë të Komunës së Leposaviqit. Më pas, lideri i PDK-së Kadri Veseli, shkoi në Komunën e Zveçanit ku takoi në Boletin, banorët shqiptarë të kësaj komune”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Ndërsa në këtë komunikatë, Veseli citohet të ketë folur për nevojat dhe kërkesat e këtyre banorëve.
Kam ardhur për t’i vizituar qytetarët tanë të cilët ndihen të shqetësuar me konfuzionin të cilën e ka krijuar panevojshëm qeveria jonë, e urdhrave të dyfishta të një shteti të cilin nuk e duam dhe nuk e njohim. Megjithatë, besoj se do të tejkalohet edhe kjo situatë. Këta janë njerëz të cilët kanë qëndruar këtu që 21 vjet, të cilët tani po ballafaqohen me pandeminë COVID-19 dhe me sfidat jetësore”, citohet të ketë thënë Veseli, gjatë kësaj vizite.