Asetet ushtarake po tërhiqen pas vlerësimit se Irani “nuk përbën më një kërcënim të menjëhershëm për interesat amerikane”, shkroi gazeta Wall Street Journal
ShBA po tërheq katër bateri raketash Patriot dhe dhjetëra trupa të vendosura në Arabinë Saudite në vazhdën e tensioneve të rritura me Iranin, shkroi gazeta amerikane Wall Street Journal, transmeton Anadolu Agency (AA).
Asetet ushtarake u dërguan në Arabinë Saudite pasi një sulm ndaj objekteve të saj të naftës shkatërroi prodhimin e mbretërisë. Rijadi dhe Washingtoni e kanë fajësuar Iranin për sulmet, ndërsa Teherani ka mohuar akuzat pas një serie sulmesh në rajon ndaj tankerëve të naftës në Gjirin Persik që ndodhën gjatë disa muajve.
Përveç tërheqjes së sistemeve Patriot dhe trupave, SHBA tashmë ka zhvendosur dy skuadrone të avionëve luftarakë dhe po shqyrton t’i japë fund pranisë së saj detare në Gjirin Persik, sipas Wall Street Journal.
Tërheqja e Patriotëve aktualisht është duke u zhvilluar dhe bazohet në bindjen e “disa zyrtarëve” se Irani “nuk paraqet më një kërcënim të menjëhershëm për interesat strategjike amerikane”, shkroi gazeta./AA