Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, ndaj të pandehurit me iniciale V.H. nga fshati Poslishte, Komuna e Prizrenit për shkak dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale,
mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së dhe veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm neni 356 par. 1 lidhur me par.7 të KPRK-së.
Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës, 09.06.2020 dhe do të zgjasë deri më datën 09.07.2020.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në ditë kritike me datën 08.06.2020 rrethe orës 22:15 minuta në Prizren në lagjen “Ortakoll” me pushkën automatike A-47 ka gjuajtur nga dritarja e veturës dhe se pas shikimit të vendit të ngjarjes në vend janë gjetur dhe janë konfiskuar 12 gëzhoja.
Po ashtu fakti se vendi ku i pandehuri ka gjuajtur me armë është vend i banueshëm me shumë shtëpi afër, ndërtesa dhe lokale, andaj është mendim i gjykatës se caktimi i paraburgimit sa i përket kësaj pike është i bazuar dhe i arsyeshëm, thuhet në njoftimin e Gjykatës Thelemore të Prizrenit./tvprizreni