Home / Lajme / Ish-drejtori i Arsimit në Prizren dhe dy të tjerët lirohen nga akuzat për keqpërdorim të mjeteve për javën e dëshmorit

Ish-drejtori i Arsimit në Prizren dhe dy të tjerët lirohen nga akuzat për keqpërdorim të mjeteve për javën e dëshmorit

Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me të, nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë liruar edhe dy mësimdhënësit, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, e cila tha se një vendim i tillë u mor në mungesë të provave, duke cekur edhe pamundësinë e Komunës së Prizrenit për përcaktimin e dëmit.

Ndryshe, në qershor të vitit 2016,  i akuzuari Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Më 27 shtator 2016, Apeli kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe kishte kthyer lëndën në shkallën e parë për rivendosje.

Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.

Kjo gjykatë, gjithashtu kishte kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut.

E më pas, më 15 gusht 2019, Apeli kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte kthyer lëndën në rigjykim për të dytën herë.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar që në rigjykim, gjykata t’i administrojë edhe njëherë të gjitha provat në këtë çështje penale dhe të bëjë vlerësimin e provave të administruara.

Gjithashtu, gjykata e shkallës së dytë, kishte kërkuar që të dëgjohet edhe njëherë përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, lidhur me faktin se sa ka qenë dëmi në këtë rast.

Apeli kishte kërkuar që edhe njëherë të dëgjohen ekspertët që kanë bërë super ekspertizën në këtë rast.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. /BetimipërDrejtësi

Kerko gjithashtu

Vetaksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, humb jetën një person afër Vërmices

Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Ruova”, ku një …