Para pak ditësh Alajdin Fusha, menaxheri i qumështores ABI pati kritikuar Qeverinë, e cila sipas tij, nuk po i përkrah prodhuesit vendorë të qumështit.
“Përpunuesit vendorë kanë shumë stoqe që janë grumbulluar në kohën e pandemisë, ndërsa në anën tjetër institucionet shtetërore furnizohen me produkte nga importi p.sh. spitalet e Kosovës furnizohen me djathë nga yndyra bimore dhe pastaj presim që pacientet të shërohen”, thotë zotëri Fusha.
Në pyetjen se si si mund të tejkalojmë këtë krizë , menaxheri i qumështoret ABI thotë: “Përgjigjja është shumë thjeshtë, Institucionet shtetërore të furnizohen me produkte vendore dhe kriza përfundon… qe sa thjeshtë, e dyta, MBPZHR dhe Drejtoria e Bujqësisë e KK-ve të ndërprejnë të gjitha grantet që po u jepen për sektorin e qumështit, sepse ka shumë tepricë të qumështit , ato mjete të dedikohen për tejkalimin e krizës”, përfundon z. Fusha.
Pas këtij reagimi të Alajdin Fushës, menaxherit të qumështores ABI ka reaguar sot edhe ministri i Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili nëpërmjet një ftese publike, ka kërkuar nga institucionet publike dhe shtetërore të vendit që t’i mbështesin prodhimet vendore.
Në ftesën publike, që ua ka dërguar institucioneve, ministri Krasniqi kërkon që në procedurat e tenderimit ta fusin si kriter prodhimin vendor.
“Konsideroj se institucionet publike të vendit duhet të kenë përgjegjësi morale dhe ligjore që gjatë furnizimeve me prodhime të ndryshme, të cilat prodhohen në vendin tonë, t’u jepet përparësi, me ndonjë kriter të veçantë, në suaza ligjore, gjatë procedurave të organizatave buxhetore”, thuhet në ftesën publike, që ministri ua ka dërguar institucioneve publike të vendit.
Këtë ftesë, ministri Krasniqi e ka bërë pas takimeve të shumta që i ka zhvilluar me përfaqësues të bizneseve, odave ekonomike dhe shoqatave të ndryshme të vendit.