Në pikën kufitare Vermicë/Morinë në kufirin Kosovë-Shqipëri një veturë me targa kosovare është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe në të njëjtën janë kapur disa kilogramë drogë të llojit marihuanë.
Burime të RTKLive brenda policisë kufitare kanë bërë të ditur se vetura e tipit VW Toureg me targa KS me të hyrë në pjesën kosovare të territorit është ndaluar nga policia. Pas kontrollit në veturë janë gjetur mbi tre kilogramë drogë e llojit marihuanë.
“Pas gjetjes është njoftuar njësiti antidrogë dhe me urdhër të prokurorit është konfiskuar vetura dhe pronarit të veturës i është shqiptuar ndalesa prej 48 orësh”.
Lajmin për konfiskimin e kësaj sasie droge, për RTKLive e ka konfirmuar edhe Nexhmi Krasniqi, nga Departamenti për Kufij në Policinë e Kosovës.
RTKLive ka siguruar edhe fotografi të veturës së konfiskuar dhe drogën e kapur. /RTK