COVID-19/ Komuna e Prizrenit blen teste serologjike në vlerë 122 mijë euro
Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prizren, shumë shpejt do të pajiset sërish me teste serologjike, ku qytetarët e testuar do ta kuptojnë nëse e kanë kaluar virusin apo kanë fituar imunitet ndaj tij.
Komuna e Prizrenit ka hapur tender për blerjen e testeve, të cilat së fundi janë tejet të kërkuara nga qytetarët.
“Furnizim me teste serologjike IgM dhe IgG per Covid-19 për nevojat e QKMF-së, për bërjen e testeve për qytetarët e Komunës së Prizrenit”, thuhet në përshkrimin e lëndës.
Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, kishte planifikuar të shpenzonte hiç më pak se 124 mijë euro për këtë furnizim.
Mirëpo, këtë tender e fitoi operatori ekonomik “Biotek Kosovo” L.L.C me çmim 122 mijë e 400 euro.
Nënshkrimi i kësaj kontrate do të bëhet sot.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Prizrenit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, 10 persona./rtvbesa