Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila është edhe kryetare e Bashkimit Social Demokrat, në një intervistë për mediumin boshnjak klix.ba, ka treguar se si Adrijana Hoxhiq me iniciativën e saj ka arritur të futet në Kuvendin e Kosovës me votat e marra nga komunat me shumicë serbe.
“Në zgjedhjet e fundit të 2019, Lista Serbe kishte 10 mijë vota të tepërta që u përkasin serbëve. Pra, duke pasur parasysh që këto vota nuk i kishin të nevojshme, ata bënë plan për t’i përdorur këto vota për të “sulmuar” pakicat kombëtare. Ata zgjodhën Adriana hoxhiq nga iniciativa “Komuniteti i Bashkuar”, e cila ka qenë edhe nënkryetare në Komunën Veriore të Mitrovicës”, ka thënë Duda Balje.
Ajo thotë se sipas informacioneve që kanë marrë, nga votat që janë numëruar, Hoxhiq ka arritur që të marr dy nga tre vendet në Kuvend të Kosovës që u përkasin boshnjakëve.
Duda Balje thotë se Hoxhiq tashmë do të marrë një pozitë që nuk i përket, sepse nuk përfaqëson vullnetin real zgjedhor të pakicave.
“Kjo është edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës që thotë se pakicat duhet të përfaqësohen nga njerëz të zgjedhur nga anëtarët e po atyre pakicave”, ka shtuar tutje.
Ajo theksoi se ishte veçanërisht e trishtuar nga fakti që ish partia e saj, koalicioni “Vakat”, ka shumë të ngjarë të merrte pjesë në këtë “lojë”.
Balje ka thënë se Lista Serbe ka për qëllim që t’i ketë nën kontroll 14 nga 20 vendet e rezervuara për pakicat, e që do të mund të shfrytëzohen në momentin kur do të zgjidhet presidenti i ardhshëm i Kosovës.