Policia Rajonale e Prizrenit ka konfirmuar se ka arrestuar një të dyshuar për vjedhje.I çuditshëm është fakti se ai përdorte vetura me qira (rent) për të kryer vjedhjet, përcjell TV Prizreni.
Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave.
Më poshtë edhe njoftimi i plotë.
Në fshatin Budakovë të Suharekës, policia ka pranuar informacion se nga data 20 prill 2021, në këtë fshat u kryen rreth tetë vjedhje nga shtëpitë. Hetuesit policor me profesionalizëm duke bashkëpunuar me qytetarë, shtuan patrullimet dhe vëzhgimet në këtë lokacion duke monitoruar çdo lëvizje e sidomos gjatë natës.
Me datë 26 prill 2021, në mbrëmje policët hetues vërejtën një automjet të dyshimtë në këtë zonë dhe filluan me verifikimin e tij. Automjeti ishte pronë e një kompanie e cila i jepte me qira (renta) nga Ferizaj.
Pas verifikimit dhe kontaktimit me kompaninë hetuesit identifikuan edhe personin e dyshimtë i cili e kishte marrë në shfrytëzim.
Madje përmes pajisjes GPS verifikuan edhe lëvizjet e fundit, dhe në bazë të lëvizjeve automjeti kishte qenë në të gjitha lokacionet ku ishin kryer vjedhjet.
Në këtë rast u ndalua i dyshimti P.F i lindur në vitin 1996, dhe u intervistua në praninë e avokatit mbrojtës, i njëjti i pranoj të gjitha veprat penale të cilat i kishte kryer në bashkëpunim edhe me një të dyshuar tjetër i cili tani është i njohur për policinë.
Të dyshimtit përdorën automjetin me qira për të kryer vjedhje ne këtë zonë, dhe brenda automjetit policia gjatë kontrollimit gjeti edhe një armë lodër. Hetuesit informuan Prokurorin e Shtetit i cili vendosi që i dyshimti të ndalohet në mbajtje në afat prej 48 orë. Rasti është duke u hetuar dhe zyrtarët janë në kërkim edhe të personit tjetër të dyshimtë për të cilin kanë njohuri mbi identitetin e tij, thuhet në njoftim.