Tre persona janë arrestuar lidhur me rastin në Prizren, ku në rrugën “Xhemë Gostivari” në një market është sulmuar një person. Të martën u raportua se pas një mosmarrëveshje të çastit me një person të panjohur i cili kishte qenë i armatosur, e ka sulmuar fizikisht viktimën duke e goditur me kokë dhe me grushte duke i shkaktuar lëndime trupore dhe më pas i dyshuari me një veturë ishte larguar nga aty.
Viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore në emergjencën e spitalit e më pas është dërguar me autoambulancë për në QKUK në Prishtinë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Pas vëzhgimit të kamerave, sektori i hetimeve në Prizren ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë, H. P., (viti i lindjes 1998), A.K., (viti i lindjes 2001) dhe K.T., (viti i lindjes 1999).
“Në banesën e dyshuarit H.P gjate bastisjes është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale një pistoletë – lodër dhe një këllëf i pistoletës. I dyshuari ka deklaruar se këtë pistoletë – lodër e kishte me vete kur ka ndodhur rasti. Në prezencën e avokatëve mbrojtës janë marrë deklarata nga të dyshuarit, të cilët e pranojnë që janë përfshirë në këtë rast, sipas tyre ishte një mosmarrëveshje e çastit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit ndalen në qendrën e ndalimit për 48 orë. Ndërsa personi i tretë, K. T., lirohet ne procedurë te rregullt./Koha