Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), agjencisë zvicerane Swiss-Contact dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, për të diskutuar hapat e mëtejshëm të projektit për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit.
“Studimi i fizibilitetit ka përfunduar, ndërsa, në takimin e sotëm u diskutuan hapat e mëtejshëm për hartimin e projektit të detajuar implementues”, njofton komuna, përcjell PrizrenPress.
Marrëveshja për këtë projekt është rezultat i një bashkëpunimi mes Komunës së Prizrenit, MMPHI-së dhe Swiss-Contact.
“Ky projekt synon ta bëjë më të lehtë dhe më atraktive qasjen në Kalanë e Prizrenit, një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qytetit”, thuhet në njoftim.