Tashmë ka disa ditë që jemi futur në stinën e dimrit, dhe së bashku me këtë edhe vetura juaj është e ekspozuar gjithnjë e më shumë në kushte të padëshiruara të motit dhe terrenit. Temperaturat e ulëta, rrugët e rrëshqitshme dhe kripa në rrugë kërkojnë nga ju që sa më parë ta përgatisni automobilin për kushtet e dimrit. Me përgatitjen e automobilit tuaj për dimrin, gjendjen e rregullt dhe kuptimin se në rrugën e akullt rruga e frenimit dukshëm është më e gjatë se në verë, më lehtë do t’i kaloni ditët e ftohta. Në vazhdim do t’ju sjellim disa këshilla, të cilat do t’ju ndihmojnë se si të silleni me timonin gjatë këtij sezoni.
– Hapi i parë, ndërrimi i gomave: Hapi i parë dhe themelor do të duhet të jetë ndërrimi i gomave. Gomat e verës në temperaturat nën 7 shkallë celsius bëhen më të forta dhe i humbin aftësitë, dhe për këtë duhet t’i ndërroni me ato për kushtet e dimrit. Edhe pse blerja e gomave në fillim është investim paksa i shtrenjtë, megjithatë, do t’ju shpaguhet për shkak të sigurisë më të madhe, të cilën e ofrojnë, transmeton “Zëri.info”.
– Ndërrimi i lëngjeve: Hapi tjetër, është ndërrimi dhe kontrollimi i lëngjeve në automobil, duke filluar nga ndërrimi i vajit, i cili do ta lehtësojë ndezjen në mëngjeset e ftohta të dimrit. Po ashtu, duhet të kontrolloni edhe nivelin e lëngut në ftohës, dhe këtë ta zëvendësoni me antifrizin e pastër nëse deri më tani e keni pasur përzierjen e ujit dhe antifrizit në ftohës.
Lëngjet për dritare gjithsesi ndërroni me versionin për dimër. Me ta pastaj spërkatni të gjitha bravat ne automobil në mënyrë që të parandaloni ngrirjen e tyre. Gomat mbrojtëse rreth dyerve do të ishte mirë t’i lyeni me sprejin prej silikoni, në mënyrë që të parandalohet ngjitja e tyre.
– Kontrolloni akumulatorin, frenat, dritat: Akumulatori, nëse është disa vite i vjetër, do të duhet ta kontrolloni te mekaniku, si edhe frenat, dritat dhe fshesat e xhamave. Nëse pas fshesave mbetet gjurmë, gjithsesi ndërroni. Po ashtu, kurrë fshesat mos i aktivizoni nëse në xhama është mbledhur akull. Në male dhe në vendpushime, qendra të skijimit, gjatë natës mund të bjerë aq shumë borë dhe gomat e dimrit përnjëherë të bëhen “të padëgjueshme”.
Në këtë situatë zinxhirët janë zgjidhja e vetme. Vënia e zinxhirëve duhet të bëhet në shtëpi, në mënyrë që rruga e mbuluar me borë të mos ju befasojë. Është e rëndësishme të thuhet se zinxhirët vihen në rrugën e rrafshët, dhe jo kur të jeni nisur në përpjetë, dhe se hiqen sapo të arrini në rrugën e pastër. Në të kundërtën, zinxhirët do të dëmtohen dhe së bashku me dëmtimin e automobilit tuaj, do të zvogëlojë edhe sigurinë në vozitje.
– Ngasje e mençur dhe e kujdesshme: Nëse në rrugën e mbuluar me borë automobili fillon t’u rrëshqasë të kapluar nga paniku mos e shtypni frenin! Në vend të kësaj shtypni pedalen e shpejtësisë, drejtojeni automobilin nëpërmjet timonit dhe lehtësisht frenoni, nëse është e nevojshme. Nëse automobili juaj posedon njërin nga sistemet moderne të sigurisë (ABS-parandalon bllokimin e gomave dhe zvogëlon rrugën e frenimit, dhe ESP, i cili kontrollon stabilitetin) gjithsesi që do të janë të mirëseardhur, por mos u mashtroni se as ata nuk janë plotësisht të sigurt.
Për këtë, vozitja e mençur dhe e kujdesshme në rrugën e rrezikshme është kushti themelor që ju garanton që do të jetoni dhe do të arrini shëndoshë deri te destinacioni i caktuar.