Home / Lajme / KDI: Kundër rrëzimit të Qeverisë – Prodhon pasiguri

KDI: Kundër rrëzimit të Qeverisë – Prodhon pasiguri

Komunikatë për media

KDI: Kundër rrëzimit të Qeverisë – Prodhon pasiguri

Prishtinë, 20 mars, 2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, në lidhje me inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nga subjekti politik LDK. Ndonëse KDI njeh të drejtën kushtetuese të subjekteve politike parlamentare për inicimin e këtij mocioni si formë e kundërshtimit të punës së ekzekutivit, vlerëson që një iniciativë e tillë, e ndërmarrë mbi të gjitha në një periudhë të ballafaqimit me shpërndarjen e virusit COVID-19, është e padobishme.

Rikujtojmë se Qeveria e re e Kosovës e formuar vetëm 45 ditë më parë pas një periudhe disa-mujore kur është qeverisur nga një qeveri në dorëheqje dhe futja në cikël të ri të krizës institucionale mund të prodhojë stagnim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik e social, në prolongimin e reformave për sundim të ligjit dhe në procesin e integrimit evropian. E gjithë pa dyshim do t’a dobësojë pozicionin politik të shtetit në rrafshin ndërkombëtar, do t’a polarizojë edhe më tepër skenën politike dhe do të prodhojë zhgënjim e destabilitet shoqëror.

KDI beson që Kosova tashmë i ka kaluar situatat kur vendit i janë dashur qeveri teknike apo ato të unitetit, veçanërisht në periudhën para shpalljes së pavarësisë. Qeveritë teknike apo të unitetit janë kryesisht karakteristikë e shteteve pa stabilitet institucional dhe polarizim të skajshëm politik. Prandaj, KDI vlerëson se krijimi i një qeverie të tillë do të ishte deformim i vullnetit të shprehur të qytetarëve më 6 tetor të vitit të kaluar, si dhe do të prodhonte institucione të reja pa legjitimitet qytetar.

Përderisa vendi është duke u ballafaquar me pandeminë globale COVID-19, gjendja e krijuar në skenën politike ngjallë pasiguri tek qytetarët dhe situatat e krizave të tilla nuk duhet të përdoren për interesa politike. Në këtë drejtim, kohëzgjatja e procedurave kushtetuese për formimin e një qeverie të re do të linte vendin pa institucione në periudhën kur ato vendit i duhen më së shumti.

Qytetarët e vendit, më shumë se kurrë më parë presin nga liderët politikë të tregojnë guxim dhe maturi dhe përmes veprimeve të përgjegjshme të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional për tejkalimin e kësaj situate të rëndë jo vetëm për Kosovën por për gjithë njerëzimin.

Kerko gjithashtu

Vetaksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, humb jetën një person afër Vërmices

Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Ruova”, ku një …