Në vetëm dy javët e fundit pozitiv me COVID-19 në komunën e Prizrenit, kanë rezultuar rreth 140 persona, por kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka shpreh dyshime se numri i të infektuarve është më i madh, pasi siç tha ai aktualisht testimet po bëhen vetëm për ata persona që kanë simptoma.
Haskuka tha se që nga momenti kur janë shfaqur rastet e para me coronavirus, në këtë komunë pozitiv kanë rezultuar mbi 600 persona.
“Momentalisht komuna e Prizrenit deri tani që janë testuar dhe kanë dal pozitiv janë mbi 600 persona, por unë mendoj që numri është më i lartë duke marrë parasysh numrin e testeve dhe tani testet po bëhen vetëm me ata që kanë simptoma. Në dy javët e fundit në krahasim me komunat tjera pak një numër më të vogël dhe tani jemi komuna e katërt apo e pestë…në dy javët e fundit në Prizren janë rreth 140 persona që kanë dal pozitiv dhe çdo ditë disa prej tyre shërohen kemi raste të reja”, tha Haskuka.
I pari i komunës së Prizrenit ka dhënë se bazuar në informatat e djeshme në Spitalin Regjional të Prizrenit, aktualisht janë duke u trajtuar rreth 100 pacientë me COVID-19, ku 80 prej tyre janë me oksigjenoterapi.
Haskuka tha se përkundër që ky spital është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, pas telasheve që ka pasur me furnizimin me oksigjen, komuna i ka dal në ndihmë duke e furnizuar me rreth 800 bombola gazi.
“Pas QKUK-së, numri më i madh i personave që janë duke u trajtuar me COVID-19 është në spitalin regjional të Prizrenit. Sipas raportit nga dje janë diku rreth 100 pacientë që janë në spitalin e Prizrenit mbi 80 prej tyre janë me oksigjen. Ka pasur probleme me furnizimin me oksigjen në spitalin regjional dhe ne në këtë aspekt me drejtorin e spitalit, zotëri Avdaj kemi bërë një marrëveshje që ne me i furnizuar me oksigjen kemi pasur mundësi, deri tani me sa e di rreth 800 bombola me oksigjen i kemi furnizuar”, theksoi ai.
Pandemia sipas Haskukës, ka ndikuar edhe në rënien e të hyrave komunale në këtë komunë, pasi siç thotë ai komuna ka bërë lehtësira për bizneset dhe këto kanë ndikuar direkt në kuletën e komunës.
Ai tha se sektori i hotelerisë dhe ai blegtorisë janë dëmtuar shumë nga pandemia por shpreson që me pakon për rimëkëmbje ekonomike, mund t’u dilet më lehtë në ndihmë bizneseve të këtyre dy sektorëve.
Kreu i Prizrenit tha se si komunë janë mundur t’u ndihmojnë bizneseve përmes shtimit të mjeteve për subvencionim dhe largimin e pagesës së qeras për gjashtë muaj.
“Prizreni është qendër turistike në Kosovë dhe një nder qytetet më të vizituara, qoftë në vikende por edhe në aspektin e fjetjeve nëpër hotele dhe ky sektor ka qenë shumë i ndikuar por edhe sektorët tjerë si ai i blegtorisë për shkak se restorantet nuk kanë punuar, blegtorët kanë qenë të goditur shumë pasi që nuk kanë mundur t’i shesin qengjat, ka pasur suficid diku 16 mijë krerë kanë mbetur gjatë sezonit sepse nuk kanë mundur të shiten dhe ka shumë sektorë të tjerë që janë ndikuar negativisht nga pandemia dhe efektet e pandemisë. Shpresoj të ketë një pako për rimëkëmbje që mund të ndikoj në rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia”, tha ai