Koloneli Aubrey Herbert, ish-diplomat britanik në Tokjo dhe Stamboll, ish-deputet konservator i Parlamentit Britanik, i njohur si Lordi Herbert, ka qenë një ndër personazhet e huaja më të apasionuar me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Që pas vizitës së tij të parë në Shqipëri më 1902, ai krijoi një simpati të madhe për Shqipërinë, duke e vizituar shumë herë më pas.
Lordi Herbert ishte këshilltari kryesor i Delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913. Në fakt, ai ishte edhe përkrahja kryesore logjistike e udhëtimit dhe akomodimit të delegacionit në Londër. “Robin Hudi qëndroi në shtëpinë time,” do të shprehej Herbert-i për vizitën e Isa Boletinit në shtëpinë e tij. Po ashtu, falë lobimit të tij, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920. Dy herë iu ofrua froni i Shqipërisë, por e refuzoi.
Ai prapa vetes la librin “A Record of Eastern Travel” (Shënim nga udhëtimi në Lindje), ku i ka paraqitur mbresat e tij prej udhëtimit nëpër qytetet shqiptare, prej Florinës në Mitrovicë. Kujtimet e tij për Shqipërinë po ashtu janë botuar nga Parlamenti Britanik në një libër të quajtur “Albania’s Greatest Friend” (Miku më i madh i Shqipërisë).
Pas vdekjes së tij më 1923, nëna e tij, Lady Carnarvon, në respekt të dashurisë së birit të saj për shqiptarët, iu përkushtua me zell bamirësisë në shërbim të shqiptarëve. Ajo e solli në Shqipëri fondacionin “Rockefeller”, mbuloi shpenzimet për infermiere angleze dhe barna të Spitalit Psikiatrik të Vlorës, luftoi për emancipimin e gruas shqiptare, si dhe dhuroi donacione për luftimin e malarjes. Kështu, ajo filloi të quhej “Nëna e shqiptarëve”.
Në kujtim të të birit të saj, Kontesha Carnarvon ndërtoi një fshat për pesëdhjetë familje refugjatësh kosovarë të ikur nga represioni i Jugosllavisë monarkiste. Fshati u quajt Herbert. Sot ky fshat njihet si fshati Qerret dhe është afër Kavajës.
Por, natyrisht, dhurata më e madhe që Lady Carnarvon i bëri Shqipërisë ishte themelimi i “Institutit të Djelmënisë – Herbert”, i cili u inaugurua në vitin 1929, pak pas vdekjes së saj. Në këtë institut ishte ndër bibliotekat më të famshme të Tiranës së viteve ’30, Biblioteka Herbert, me një fond prej 8,000 librash, të cilat kryesisht ishin në gjuhën angleze. Me ardhjen e pushtuesve italianë më 1939, libraria u plaçkit dhe u mbyll.
Pas vdekjes, Kontesha Carnarvon u dekorua “Oficere e Madhe e Urdhrit të Skënderbeut” më 1929. Kjo familje, pos që ishte ndër familjet kryesore fisnike të aristokracisë britanike, bëri emër edhe përmes vëllait të madh të Aubrey Herbert-it, George Herbert-it, i cili në vitin 1922 e zbuloi varrin e faraonit Tutankamun në Egjipt.
Kontributi i tyre i madh duket se asnjëherë nuk e mori falënderimin e merituar nga shqiptarët. Sot, për shembull, asnjë rrugë në Prishtinë nuk bart emrin e ndonjërit nga anëtarët e familjes fisnike filoshqiptare Herbert-Carnarvon.
Nga aq sa hulumtova, në Tiranë një rrugë mban emrin e Lady Carnarvon-it, por nuk gjeta asnjë rrugë me emrin e Lordit Herbert.
Shkruan:Fitim Salihu