Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK Prizren) ka reaguar për shtrimin e rrugës në nënkala të Prizrenit me kubëza betoni, shkruan KultPlus.
Sipas tyre në bazë të projektit rruga duhej të shtrohej me kalldërm (gurë lumor dhe kubëza guri) si dhe ishte paraparë të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues.
Nëpërmjet një komunikate për media ata kanë thëne se ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konzervimit.
“QRTK – Prizren njofton opinionin publik që shtrimi i rrugës në nënkala me kubëza betoni është i papranueshëm, pasi që është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konzervimit, si dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar”, thuhet në njoftim.
Tutje ata kanë shtuar se Komuna e Prizrenit në vazhdimësi nuk është duke punuar në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit, kurse trashëgiminë kulturore nuk e ka parasysh fare.
“I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit si investitor i këtij projekti të ndaloj menjëherë punimet jo-adekuate në Nënkala dhe ti përmbahet projektit të aprovuar nga ana e QRTK-së”, thuhet mes të tjerash në komunikatën për media.