Home / Opinion / Fjalimi brilant i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

Fjalimi brilant i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë

Deputeti Shaip Kamberi, ka “dridhur” themelet e Kuvendit të Serbisë.

Ai në fjalimin e mbajtur sot në Beograd, ku po votohet për Qeverinë e re, ka akuzuar pushtetin në krye me Aleksandar Vuçiqin se nuk dallon me atë të Slobodan Milosheviqit, pastaj ka kujtuar krimet serbe në Kosovë e shumë padrejtësi tjera ndaj shqiptarëve.

Fjalimi i tij ka bërë bujë të madhe në mediat shqiptare, por edhe ato serbe.

Në vazhdim, fjalimi i plotë i tij pa ndërhyrje.

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë popullor,

Mirëdita – Dobar dan

Sot, po kërkohet prej nesh ta mbështesim zgjedhjen e Qeverisë së Re të Republikës. Qeveri të re me kryeministre të njëjtë. Me shef të njëjtë. Ku Presidenti është edhe kryeministër, edhe qeveri, edhe parlament. Edhe vetë shteti. “L’État c’est moi”.

Ndryshe nga kryeministrja, parlamenti është i ri. I veçantë. Se opozita e vetme parlamentare është grupi i deputetëve të Luginës së Bashkuar dhe SDA-Sanxhakut. Kush do ta kishte menduar se një ditë, opozitën parlamentare në Serbi do ta përfaqësonin vetëm deputetët shqiptarë e Luginës së Preshevës dhe boshnjakë të Sanxhakut? Një opozitë me 6 deputetë prej 250. Trishtuese. Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Slobodan Milosheviqi.

Po ja që z. Vuçiq dhe z. Daçiq po dëshmohen më efikas se baballarët e tyre ideopolitik. Ky koalicion midis të ashtuquajturave e djathta e qendrës dhe e majtës e qendrës ka prodhuar pushtetin më totalitar të historisë së Serbisë post-socialiste. Natyrisht, përmes procesit zgjedhor, si të gjitha pushtetet autoritare dhe totalitare të kohërave moderne.

E vërteta e vetme e parullës “Serbia si Evropa” është “Serbia si Bjellorusia”. Edhe pse në Minsk ka opozitë në rrugë.

Por sigurisht se vitet kanë ecur. Radikalët e retushuar kujdesen për imazhin e tyre. E kush më mirë përfaqëson imazhin “pro-evropian” se një kryeministre grua, pasionisht liberale, e shkolluar në universitetet perëndimore dhe që buron nga shoqëria civile. Një qeveri me 11 gra. Edhe multietnike aty-këtu, me ndonjë pjesëtarë të dëgjueshëm nga radhët e minoriteteve, në rend të dytë dhe të tretë përfaqësues dhe pa pushtet të vërtetë ekzekutiv. Dhe qershia mbi tortë, tashmë edhe me ministri për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe dialog shoqëror.

Sa bukur po duket. Skenar perfekt.

Mirë se vini në parajsën e stabilitetit dhe progresit. Serbia më demokratike se Suedia dhe Gjermania me rrezikun neonazist, apo Spanja me separatistët e saj.

Nuk ka më shpërndarje të fotove nga malet përreth Sarajevës nën bombardime. Nuk ka më fjalime të llojit se do t’i vrasim 100 myslimanë për çdo serb të vrarë. Nga ministra të informatave dhe zëdhënës të Milosheviqit tashmë në zyrat e Washingtonit dhe Brukselit për marrëveshje politike me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hera-herës edhe ndonjë foto me mikun Çeda Jovanoviq dhe ndonjë përplasje retorike me Vojisllav Sheshelin, i cili përdoret mjeshtërisht për kërcënimin e rrezikut se ka edhe më keq.

Piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë.

Pse jo, kur opozitarët e tyre në Beograd dëshmojnë çdo ditë se janë të paaftë për ta ndërtuar një alternativë të shkëputjes reale nga Ancien Régime.

Ja tani, Serbia ka pushtet garantues të stabilitetit dhe paqes rajonale. Me diskurs publik « modern » nën përkëdheljen e kryeqendrave të botës, që parapëlqejnë stabilokracinë kundrejt demokracisë. Po lulëzon Serbia.

Në njërën anë, takime dhe dëfrime me Donald Trumpin, Angela Merkelin, Emanuel Macronin, Rexhep Taip Erdoganin, Vlladimir Putinin, Bakir Izetbegoviqin, Andrej Plenkoviqin, Millo Gjukanoviqin, Joseph Borrelin, Hashim Thaçin dhe Edi Ramën.

Në anën tjetër, shtet i kapur dhe “deep state”. Çdo ditë, gjuhë urrejtje, gjuhë seksiste, denigrime, linçime, përndjekje dhe shantazhime të opozitarëve në Serbi. “Šiptari”, “Turci”, “Ustaši”, “NATO kriminelët”, “Hajna”. Ky është zhargoni i përditshëm i makinerisë propagandistike të pushtetit.

E kush më mirë për këtë detyrë, se ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit për ministër të policisë, i ashtuquajturi “ratni huškači” (nxitësi i luftës) i viteve ‘90 që i shmangej në kohë lufte shërbimit dhe mobilizimit ushtarak, për t’u rrëzitur në ishujt Sejshell dhe për ta ndjekur përzgjedhjen e Miss Botës në kohë sanksionesh. I ashtuquajtur i majtë radikal këmishëzi pseudo-çegevarist që krenohet sot me fyerjen e minoriteteve, duke e vërtetuar thënien e Filip David: “Primitivizmi është infektues. Në kohë të errëta, kultura e primitivëve bëhet kulturë shtetërore. Idhujt e tyre, idhuj të masave”.

Shikoni në ç’mjerim politik, socio-ekonomik, kulturor, shëndetësor dhe arsimor e keni sjellur Serbinë ju të vetëshpallurit patriotë.

Serbinë e Dimitrije Tucoviqit, Danillo Kishit, Bogdan Bogdanoviqit, Ivan Gjuriqit dhe Borka Paviçeviqit.

Me gjasë rrotullohen në varr.

Por edhe kjo autokraci dhe kakokraci kanë afatin e tyre të skadimit. Nuk ka me ju ndihmuar as politika e taktikave të barazpeshave gjeopolitike si kopje e shëmtuar e Jugosllavisë së Titos. Mjafton të shikohen pamjet e Presidentit Vuçiq në zyren ovale në Washington më 4 shtator për ta kuptuar realitetin. Pa i analizuar zotimet e pranuara nga ai i cili më 1999 bekohej se « nuk do t’i amnistoj kurrë amerikanët për bombardimet e NATO-së ».

Të respektuar kolegë dhe kolege,

Jam i vetëdijshëm se më dëgjoni ndoshta me subjektivizmin paragjykues për shkak të identitetit tim. Vërtetë quhem Shaip Kamberi dhe jam shqiptar nga Tërnoci i Madh. Po aq e vërtetë që kam pasaportë të Republikës së Serbisë, që jam taksapagues i këtij shteti dhe që ju flas në gjuhën serbe.

Por në Serbinë e sotme nuk kanë më domethënie državljanstvo dhe građanstvo. Madje as zotërimi i gjuhës serbe, nëse nuk je shërbyes i Presidentit.

E aty ku nuk kanë domethënie državljanstvo dhe građanstvo, si të pritet të ketë liri dhe barazi?

Serbia është sot problem para së gjithash për vetë serbët. Një Serbi që nuk u demokratizua as me rënien e monizmit, kur u rrëzua Ivan Stambolliqi i vrarë më vonë nga eksponentët e strukturave shtetërore të sigurimit. As me rënien e Millosheviqit më 5 tetor 2000, që i parapriu vrasjes së Zoran Gjingjiqit, ku urdhërdhënësit e këtij atentati jetojnë sot të lirë, sepse në heshtje konsiderohen heronj.

Nga ideja e serbizimit të Jugosllavisë kemi arritur në Vuçiqizimin e Serbisë. Serbia nuk mendohet tashmë as sikur Republikë vetëm e serbëve. Por si Republikë e një njeriu. Një njeriut që rrit pushtetin e tij kundrejt një Serbie që tkurr potencialin e saj. Para së gjithash demografik. Ik dje nga lufta, ik sot nga pushteti autoritar. Mjerim dje, mjerim sot. Por, me rëndësi që Serbia e ka tashmë ‘Gospodarin’ e vet nga i cili varet fati i gjithsecilit. Edhe fati i kësaj qeverie, e cila shpallet e përkohshme nga ‘gazda’, ende pa u themeluar.

Çfarë të pritet nga një qeveri që nuk është në gjendje t’i identifikoj as lëvizjet dhe figurat e saj antifashiste?

Nga një Serbi që njëson çetnikët dhe partizanët.

Nga një Serbi që nuk i di kufijtë e sovranitetit dhe integritetit territorial, si të pritet të heq dorë nga politikat hegjemoniste?

Nga një Serbi që nuk e vlerëson as postmortum Zoran Gjingjiqin, si të pritet t’i vlerësoj minoritetet?

Nga një Serbi që nuk e zbardhë vullnetshëm vrasjen e Sllavko Çuruvijes, si të pritet të zbardhë vrasjen e vëllezërve Bytyqi?

Nga një Serbi që e konsideron veten viktimë historike, si të pritet kërkimfalja ndaj popujve të tjerë?

Nga një Serbi ku lartësohet Ratko Mlladiqi, si të pritet njohja zyrtare e gjenocidit të Srebrenicës?

Nga një Serbi ku shteti mbron Ljubisha Dikoviqin dhe Bozhidar Deliqin, si të pritet njohja e krimeve të luftës ndaj civilëve në Reçak, Mejë, Korenicë, Qyshk etj?

Por, ja që sot na thuhet se po themelohet një qeveri progresive. Më demokratikja e historisë së Serbisë. Meqë qenka kështu, ftojë kreun e kësaj qeverie, zonjën Bërnabiq për një vizitë të përbashkët.

Meqë nuk e pashë në ekspozitën e pardjeshme të fotografive të krimeve të luftës në Kosovë, vetëm disa qindra metra nga kjo sallë, ftoj zonjën Bërnabiq që ta vizitojmë nesër bashkërisht Batajnicën, ku në varreza masive gjinden viktima civile që i cilësoni edhe sot si shtetas tuaj.

Dalloni së paku ju nga shefat e juaj. Urdhëroni zonja Bërnabiq.

Shihni me sytë e juaj Batajanicën, Peruçën, Petrovo Selon, Rudnicën.

Staro Sajmishta dhe Jasenoci mund t’ju frymëzojnë.

Dëgjoni me veshët e juaj mbiemrat Berisha, Duriqi, Bogujevci, Jashari etj.

Përfytyroni fëmijët, gratë dhe pleqtë që mjaftoi të kishin emra, gjuhë e kulturë të ndryshme, për t’u vrarë mizorisht dhe për t’iu hedhur fshehurazi kufomat e tyre nëpër varreza masive 400 km larg nga krimi, nga ana e strukturave të shtetit që kishin për detyrë t’ua siguronte sigurinë dhe mirëqenien.

Këto krime kundër njerëzimit janë urdhëruar, organizuar dhe kryer nga strukturat shtetërore, nga zyrtarë të Republikës së Serbisë, kryeministre e së cilës po rizgjedheni sot.

Keni rastin ta dëshmoni së paku ju ndërgjegjën kolektive të Serbisë. T’i mundësoni së paku nënave të mos vdesin pa i varrosur fëmijët e tyre me dinjitet. Që fëmijët ta dijnë se si u vranë etërit, xhaxhallarët, gjyshërit dhe të afërmit e tyre. Që gratë e përdhunuara të mos ndjejnë turp sepse ka ende të tillë që mendojnë se ishte faji i tyre për atë që ju ka ndodhur.

Këtë ua keni borxh para së gjithash popullit tuaj. Merreni guximin dhe përgjegjësinë. Nëse jo për shqiptarët, për Serbinë të cilin thuani se e duani.

Nuk ka paqe dhe ardhmëri pa ballafaqim me të kaluarën. Për asnjë shoqëri.

Se për shqiptarët që jetojnë në Serbi, e dëshmuat gjatë mandatit të kaluar se nuk jeni të interesuar t’i integroni dhe t’i trajtoni si shtetas të barabartë. Ndryshimi i vetëm i qeverisjes suaj është në medodat e shtypjes dhe diskriminimit.

Qeveria Bërnabiq1 nuk ndërmori asnjë veprim dhe vendim për t’i jetësuar tri marrëveshjet e firmosura nga qeveritë e Serbisë me të zgjedhurit e Luginës.

Nuk zhbllokuat dialogun e nisur midis qeverisë dhe zyrtarët e Luginës. Nuk iniciuat asnjë ndryshim të rëndësishëm ligjor, e mos të flasim kushtetues, që përmirëson pozitën dhe të drejtat e minoriteteve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë sot rajoni shembullor i diskriminimit. Metodat e vjetra të diskriminimit janë zëvendësuar me format e “padukshme” bashkëkohore të shtypjes. Rajoni mbetet nën rrethim të “legjitimuar” ushtarako–policor, me nënpërfaqësim të thellë në institucione shtetërore dhe me mungesë të “arsyetuar” investimesh.

Mund edhe t’ju referohemi edhe statistikave.

Me këtë rast, Ju ftojë që kur të mundeni, t’i paraqitni në këtë kuvend, të dhënat e strukturës etnike të të punësuarve të spitalit të Vranjës, që është spital edhe i Preshevës dhe Bujanocit. Mjafton për fillim.

Të respektuar deputetë,

Minoritetet, sidomos shqiptarët dhe boshnjakët, mund edhe të jenë “zezakët, tatarët, ujgurët dhe algjerianët” e Serbisë së sotme. Por ata nuk janë të shtypurit e vetëm.

Gjendja e qytetarëve nga Jugu i Serbisë është pasqyra më e mirë sesi politikat e juaj neoliberale dhe kleptokratike po thellojnë çdo ditë e më shumë jo vetëm ndarjet etnike, por edhe pabarazitë sociale midis rajoneve të Serbisë.

Zorani, Sllavica, Gorani dhe Vesna nga Vranja, Surdulica, Bosilegradi dhe Tërgovishta janë po aq të varfër dhe të papunë sa Hasani, Vjollca, Arma dhe Iliri nga Bujanoci, Tutini, Presheva dhe Sjenica.

Prandaj, sa më shpejtë rrëzohet kjo qeveri dhe shpërbëhet ky kuvend, aq më shumë ka shpresë për liri, barazi dhe demokraci. Pa juve dhe siamezët e juaj politik.

Faleminderit

Shaip Kamberi

Kerko gjithashtu

“Ra ky mort e u pamë”

“Ra ky mort e u pamë” Pandemia e Covid-it përveq problemeve që na i ka …