Që nga fillimi i vitit të ri shkollor në shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Prizrenit 44 mësimdhënës, 3 punëtorë ndihmës dhe 5 nxënës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi.
Deri më tani asnjë nga shkollat në këtë komunë nuk ka kaluar plotësisht në mësimin në distancë, ndërsa vetëm katër klasë kanë mësuar nga shtëpia për 14 ditë.
“36 shkolla (SHFMU) sipas skenarit (planit) A, 12 shkolla sipas skenarit (planit) B, 3 shkolla sipas skenarit (planit) A+B. Po ashtu ju njoftojmë se dy gjimnazet, dhe shkolla e muzikës punojnë me skenarin –Planin A ,kurse Shkolla e larte e mesme Ekonomike punon sipas skenarit –Planit A+B”, ka thënë Thaçi Vezgishi.
Në shkollat e komunës së Prizrenit mësojnë 26823 nxënës, ndërsa mësimdhënës janë 2256.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.