PDK-ja në Prizren ka reaguar ndaj shpalljes së tenderit ku parashihet shpenzimi i një shume prej 30 mijë eurosh për dekorimin e qytetit të Prizrenit për Vitin e Ri.
“PDK dega në Prizren e konsideron jo vetëm të panevojshme, por edhe provokative në këtë situatë të izolimit pandemik. Në njërën anë, kur tashmë çdo ditë po flitet për masa të reja e mbyllje nga infektimi, qeverisja e degraduar e Prizrenit, planifikon dekorim të qytetit, që në fakt është dëshmia e radhës për keqmenaxhim të parasë së qytetarëve. Në kohën kur gjithnjë e më shumë raportohet për shtim të rasteve me të infektuar dhe të vdekur, ndërsa shumë familje janë në gjendje të rëndë ekonomike për shkak të situatës së krijuar dhe kur shumë dasma e gëzime nuk janë mbajtur apo janë shtyrë, shtrohet pyetja se kush do të mendojë për ndonjë atmosferë në qytet, aq më tepër për të shpenzuar një shumë kaq të lartë të buxhetit për dekor”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Në vend se të mendohet për përballimin e situatës, që po rëndohet edhe në Komunën e Prizrenit, qeverisja e Vetëvendosjes, nuk mendon për prioritete që nxjerr situata, por mendon vetëm si t’i harxhojë paratë”.
PDK-ja ka kërkuar që mjetet për dekorimet për Vitin e Ri të përdoren për të ndihmuar familjet me asistencë sociale dhe për të siguruar pajisje teknologjike për nxënës e student, që nuk kanë kushte për t’I ndjekur mësimet cilësore.