Home / Lajme / E rrahën keq pse i shau, paraburgim ndaj dy personave në Prizren

E rrahën keq pse i shau, paraburgim ndaj dy personave në Prizren

Dy personave në Prizren u është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh pasi të njëjtit kishin rrahur një person për shkak se i kishte sharë.

Siç njofton Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të pandehurve D.R., dhe E.R. është caktuar masa e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Akti i rrahjes besohet të ketë ndodhur më 24 mars të këtij viti pas një fjalosjeje në një kafene ky të tre ishin duke konsumuar alkool. 

I dëmtuari besohet t’i ketë fyer e sharë dy të pandehurit, e të cilët, pas daljes së viktimës nga kafeneja, i vihen pas me makinë për ta ndjekur derisa arrijnë te një rrugë ku nuk ka qarkullim. 

Aty ata dalin nga makina dhe e sulmojnë viktimën me grushte e shkelma duke e bërë për spital.

“Të pandehurit D.R., dhe E.R., në bashkëkryerje, me datë 24 mars, në orët e vona të natës, në Prizren, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, në atë mënyrë që paraprakisht kishin qenë në një kafiteri ku kishin konsumuar alkool dhe nga i dëmtuari ishin fyer e sharë. Në momentin kur i dëmtuari kishte dalë nga kafiteria, të pandehurit i ishin vënë pas duke e ndjekur me automjetin e tyre. Tutje të pandehurit e shfrytëzojnë momentin e duhur kur në rrugë nuk ishte askush përveç të dëmtuarit, ashtu që në anën e majtë të rrugës e ndalin automjetin, që të dy dalin nga automjeti, shkojnë në drejtim të të dëmtuarit në anën e kundër të rrugës, i afrohen të dëmtuarit, të cilin me grushte fillimisht e godet në pjesën e fytyrës i pandehuri D.R., nga e cila goditje i dëmtuari bie në tokë. Me këtë rast të dy të pandehurit e godasin me shqelma në pjesën e kokës, e lënë të shtrirë në tokë dhe largohen nga aty, ndërsa i dëmtuari haset i shtrirë nga një kalimtar rasti i cili përmes telefonit njofton Emergjencën”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Prokuroria thotë se nëse do të argumentohen këto fakte, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të pandehurit veprën penale dyshohet se e kanë kryer më datë 24 mars, ndërsa më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, dhe pas veprimeve operative e hetimore të organeve të ndjekjes ata janë identifikuar dhe arrestuar më datë 26 mars, “shton dyshimin e bazuar që nëse të njëjtëve nuk iu caktohet paraburgimi, ata mund të arratisen dhe të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë në faza tjera të procedurës penale, me çka do paraqiste pengesë reale për zhvillimin e rregullt të procedurës hetimore në këtë çështje penale”.

“Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve është masë konkrete, duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve dhe sjelljen e mëparshme të tyre, duke u bazuar në informacionin nga evidenca për të kaluarën kriminale, rezulton se të pandehurit e lartcekur janë recidivistë, kryerës të mëhershëm të veprave penale të natyrës së njëjtë, por edhe të natyrave tjera”, ka potencuar Gjykata Themelore në Prizren.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, mirëpo ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Zëri/

Kerko gjithashtu

Vetaksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, humb jetën një person afër Vërmices

Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Ruova”, ku një …