Vdes 29 vjeçari në Prevallë, shkoi me vëllain për të mbledhur boronica bie në greminë
Pasditen e sotme në Zonën e Prevallës – Prizren, ka gjetur vdekjen në një greminë një 29-vjeçar. Kështu mësojnë burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës.
Rastin e ka raportuar vëllai i tij, i cili kishte thënë se të dy ishin duke mbledhur borononica në një mal, teksa ishin larguar në distancë nga njëri-tjetri dhe aty kishte mjegull të madhe e ishte duke rënë shi.
Sipas deklaratës së vëllait të viktimës, dyshohet se viktima A.H. 29-vjeç aksidentalisht ka rënë në një greminë.
Ekipet përkatëse të policisë, mbikëqyrësi dhe ekipi urgjencës i janë përgjigjur rastit dhe kanë arritur deri në një distancë afër vendit te ngjarjes, ndërsa te vendi i ngjarjes ka qenë e pamundur që të shkohet me mjetet që kanë në dispozicion.
Ndërkohë gjatë kontaktit me telefon me vëllain e viktimës, Policia ka kuptuar se i njëjti është pa shenja jete.
Familjarët dhe disa të afërm të tyre rreth orës 16:40, e kishin nxjerrë viktimën nga vendi ku kishte rënë dhe me një veturë xhip e kanë sjellë tashmë të ndjerin A.H. deri afër rrugës ku gjendej urgjenca.
Ekipi i urgjencës veçse ka konstatuar vdekjen e tij. Në konsultim me Prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti dhe i ndjeri do të dërgohet në IML për kryerjen e autopsisë.