Arrestohet zyrtari doganor për mito në pikëkalimin në Vermicë
Mbrëmjen e së enjtes që e lëmë pas, në pikëkalimin kufitar të Vermicës, është arrestuar një zyrtar doganor.
Arrestimi i tij u bë nga njësitë e hetimeve të doganës, pas një informate se një zyrtar doganor në pikëkalimin e Vermicës është duke e keqpërdorur detyrën zyrtare dhe njëkohësisht ka pranuar mito.
Të njëjtin, zyrtarët e Hetimeve të Doganës së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren, e kanë dërguar në mbajtje për 48 orë.
”Bazuar në provat e gjetura dhe sipas urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, është konstatuar dyshimi i arsyeshëm se zyrtari doganor në detyrë ka qenë i përfshirë në veprat penale marrje e mitos sipas nenit 428 dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 422 te Kodit Penal te Kosovës”, thuhet mes tjerash në kumtesën e Doganës së Kosovës.
Tutje nga Dogana e Kosovës apelohet për bashkëpunim për t’u pamundësuar kriminelëve të përfitojnë nga taksat e qytetarëve.
”Dogana e Kosovës synon që në bashkëpunim me qytetarët të mbrojë interesin e shtetit, duke u pamundësuar kriminelëve që të përfitojnë nga taksat e qytetarëve. Andaj, mirëpresim bashkëpunimin me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mënyra më e sigurte është që të na kontaktoni përmes telefonit 0800 500 95, facebook Dogana e Kosovës ose e-mail:info@dogana-ks.org. Me bashkëpunim efikas secili bëhet pjesë e luftës ndaj krimit. Duke mbrojtur të hyrat ne i krijojmë më shumë mundësi zhvillimit të vendit”.