Home / Sport / KB Bashkimi mban mbledhjen e rregullt vjetore

KB Bashkimi mban mbledhjen e rregullt vjetore

Prizren, 20 dhjetor 2019 ― Kuvendi i KB Bashkimi ka mbajtur mbledhjen e rregullt vjetore, në prezencë të 26 delegatëve nga gjithsej 48 sa janë. Mbledhja u hap nga kryesuesi dhe anëtari i kryesisë, Agron Çeku, i cili fillimisht bëri të ditur se pikat e rendit të ditës do të përqëndrohen për periudhën nga data 20 korrik të vitit 2018, kur ka filluar mandati i kryesisë aktuale, e deri më sot. Ai tha se klubi ka filluar të hyjë në fazën e konsolidimit duke tejkaluar problemet e shumta financiare dhe organizative që janë trashëguar nga vitet e kaluara dhe tani duhet të ketë plane konkrete për rritjen e kapaciteteve për të ardhmen. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të klubit, Rini Shpendi, tha se klubi tashmë ka krijuar një strukturë stabile dhe po punon në forcimin dhe avansimin e basketbollit në qytet. Ai duke përmendur borxhet e trashëguara në klub nga ana e BAT-it, ATK-së dhe borxheve të tjera nga bizneset private, kujtoi se klubi gjatë edicionit të kaluar ka qenë pranë falimentimit dhe pavarësisht problemeve të shumta ka arritur t’i përballojë ato. Shpendi ndër të tjera potencoi që shuaraja e klubit do të ishte e paevitueshme po të mos ishte përkrahja nga Komuna e Prizrenit në krye me kryetarin e saj. Më tej, fjalën e mori koordinatori i grupmoshave të reja, Arben Elshani, i cili tha se klubi tashmë ka ekipe të juniorëve (U18), kadetëve (U16) dhe pionerëve (U14), me të cilët po garon suksesshëm në ligat e grupmoshave përkatëse. Duke pasur për prioritet avansimin e shkollës së basketbollit, ai theksoi se që të gjithë fëmijët e grupmoshave po zhvillojnë aktivitetin e tyre pa pasur nevojë të paguajnë për ushtrime apo për udhëtime të ndeshjeve. Ndërkaq në edicionin e kaluar puna me grupmoshat e reja ka munguar për shkak të pamundësisë së shfrytëzimit të ndonjë hapësire të përshtatshme, për çka është bërë edhe kërkesë në Drejtorinë Komunale të Arsimit për shfrytëzim të ndonjë salle të shkollave. Elshani gjithashtu bëri të ditur se kjo është hera e parë që klubi i Bashkimit ka ekipe të grupmoshave të reja që menaxhohet drejtpërsëdrejti nga klubi. Për fund ai tha se tashmë kanë filluar të bëhen hapat e para edhe drejt aktivizimit të shkollës për grupmoshat U12. Interesimi për t’u regjistruar në shkollën e basketbollit është tejet i lartë dhe shkolla tashmë numëron afër 100 nxënës.
Ndërsa drejtori sportiv i klubit, Artan Kurti, foli për vështirësit e krijuara në klub nga momenti i marrjes së detyrës, për shkak se klubi është gjetur pa asnjë kontratë të lojtarëve. Ai tha se është dashur të bëhen negociatat me secilin lojtar nga fillimi dhe më pas edhe të arrihen marrëveshjet në mënyrë që të krijojnë një ekip konkurrent. Por për shkak të imazhit negativ të krijuar prej kohësh nga aspekti i besueshmërisë, është hasur në vështirësi të shumta gjatë negociatave me lojtarët. Ai përveç tjerash e falenderoi edhe përbërjen aktuale të ekipit në krye me kapitenin Qëndrim Biraj dhe që po udhëhiqet nga trajneri Illmen Bajra, falë angazhimit të të cilëve janë arritur rezultat të kënaqshme deri më tani në këtë edicion. Pas Kurtit fjalën e mori drejtori organizativ i klubit, Dren Marseli, i cili fillimisht bëri të ditur se Komuna e Prizrenit ka bërë një raport të auditimit për mjetet e shpenzuara nga të hyrat prej Komunës dhe këtë raport ua dorëzoi fizikisht të gjithë anëtarëve të kuvendit. Ai tha se në aspektin financiar klubi ka treguar transparencë të plotë ndaj Komunës dhe njëkohësisht ka pasur raporte tejet të sinqerta me sponzorët e tjerë, duke e rritur kështu imazhin dhe besueshmërinë në klub. Gjithashtu ai bëri të ditur se kryesia po angazhohet në hartimin e një Statuti të ri për klubin, i cili do të jetë në përputhje me ligjet në fuqi, në mënyrë që të evitohen zbrazëtirat e ndryshme në Statut që po krijojnë paqartësi në situata të ndryshme. Pas informacioneve të përgjithshme për Raportin e Punës dhe Raportin Financiar, kryesuesi i mbledhjes propozoi që të bëhet votimi për zgjedhjen e kryetarit dhe për kandidat e propozoi ushtruesin e deritashëm të detyrës së kryetarit, Rini Shpendi, i cili me vota unanime u zgjedh kryetar për ta ushtruar këtë detyrë deri në fund të mandatit aktual. Kryetari i sapo zgjedhur duke i falenderuar të gjithë për besimin e dhënë, kërkoi që të ketë edhe emra të rinj në kryesi, duke propozuar që përbërjes së deritashme të kryesise ku përfshihen Artan Kurti, Dren Marseli, Tamer Çabrati, Arben Elshani, Agron Çeku dhe një anëtari nga grupi i tifozëve, t’i shtohen edhe Ylli Hoti dhe Zani Turtulla, të cilët po ashtu u votuan unanimisht për përfshirje në kryesi. Krejt në fund, mbledhja u përmbyll me diskutime për çështje të ndryshme të cilat u ngritën nga anëtarët e kuvendit, ndërsa u propozua që mbledhja e ardhshme të mbahet pas përfundimit të stinorit 2019/20.

Kerko gjithashtu

Ftohen qytetarët e Prizrenit që masovikisht ta përkrahin FC Lirinë në ndeshjen e barazhit

Tifogrupi prizrenas “Arpagjik’t” kanë bërë thirrje që me datë 21.05.2022 të gjithë prizrenasit të jenë …